Bakllava feste

Bakllava feste

Për një tepsi, nevojiten:

  • 1 kg petë të bakllavasë ,
  • 250 g margarinë ose gjalpë.

Për shtresën e parë nevojiten:

  • 125 g margarinë ,
  • 2 vezë ,
  • gjysmë gote (uji) sheqer ,
  • gjysmë luge bakin.

Të gjitha këto përzihen mirë, pastaj shtohen 8-10 lugë miell të egër. Krejt kjo përzihet mirë, fitohet një masë homogjene dhe lihet anash.

Për shtresën e dytë nevojiten:

  • 300 g arra të bluara ,
  • 2 vezë ,
  • gjysmë gote sheqer ,
  • lëngu i një limoni.

Përzihen mirë dhe lihen anash. Lyhet tepsia me yndyrë.

Petët ndahen në 3 pjesë (nga 10 sosh). Shtrohet pjesa e parë e petëve në tepsi dhe secila stërpiket me pak margarinë (pjesa tjetër e margarinës mbetet për lyerje sipër).

Mbi këto petë qitet shtresa e parë e masës së përgatitur. Shtrihet mirë në gjithë sipërfaqen. Mbi këtë shtresë shtrohet pjesa e dytë e petëve si dhe shtresa e dytë – arrat e parapërgatitura.

Përfundojmë me shtresën e tretë të petëve. Pasi të jetë përvëluar thika, pritet bakllavaja në formë trekëndëshash.

Pastaj i hidhet sipër margarina e shkrirë dhe futet për t’u pjekur kujdesshëm, në temperaturë mesatare. Pasi të piqet, bakllavaja lihet për t’u ftohur mirë.

Sherbeti: 1 kg sheqer, 2-3 gota ujë dhe 3 vanilje. Sapo të vlojë (sheqeri shkrihet mirë), hiqet nga temperatura, që sheqeri të mos trashet. Me këtë sherbet të nxehtë ulet bakllavaja e ftohur.

Shërbehet të nesërmen!